Aleksandër Moisiu `rikthehet` sërish në Morcotën Ticiniane
Në një vend mjaft të bukur pranë liqenit në Morcotën Ticiniane do të shkëlqejë një bust i artistit të madh, në sheshin që do të mbajë të njëjtin emër Aleksandër Moisiu.
Moisiu, një nga figurat më të shquara të teatrit shqiptar dhe atij evropian, do të ketë një bust dhe një shesh me emrin e tij në qytetin Morcotos të Zvicrës.
Kjo iniciativë e Akademisë për film dhe teatër IFTP në Zvicër është miratuar nga kryetari i komunës së Morcotos, Giacomo Caratti bën të ditur drejtuesi i IFTP-së, regjisori dhe aktori Adem Kicaj. Stafi i IFTP-së, Kicaj, Dashnim Hebibi, Musa Sylajmani dhe Remzi Durmishi kanë vizituar komunën e Morcotos, duke vlerësuar se ky projekt artistik do të jetë historik për të gjithë shqiptarët, pasi që në një vend mjaft të bukur pranë liqenit në Morcotën Ticiniane do të shkëlqejë një bust i artistit të madh, në sheshin që do të mbajë të njëjtin emër Aleksandër Moisiu.
Moisiu lindi në qytetin e Durrësit. Babai i tij ishte me origjinë nga Kavaja, kurse nëna ishte arbëreshe.
Fëmijërinë e tij ai e kaloi në Durrës dhe në Trieste. Në moshën 20-vjeçare, ai me nënën e tij dhe dy motrat shkuan në Vjenë. Aty njihet me aktorin austriak Josef Kainz, me ndihmën e të cilit u njoh si një aktor i madh i fillimit të shek. XX. Më vonë shkoi në Pragë e më pas në Berlin.
Me gjithë popullaritetin që kishte në botë, ai nuk e harroi kurrë vendin e tij dhe me kërkesën e tij më 1934 autoritetet shqiptare i japin pasaportën shqiptare.
Aleksandër Moisiu vdiq në mars 1935 në Zvicër.