Albin Kurti do që zgjedhjet të mbahen më 2 shkurt
Lëvizja Vetëvendosje është përcaktuar për datën 2 shkurt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Kështu kanë thënë burime të Klankosova.tv. Presidentja Vjosa Osmani, dje gjatë ditës deklaroi se ka marrë një propozim nga LVV-ja për datën e preferuar.
Megjithatë, burimet e Klankosova.tv kanë bërë me dije se propozimi i partisë në pushtet është data 2 shkurt, duke bërë kështu që qeveria Kurti 2 ta çojë mandatin deri në fund.
Më 31 korrik, presidentja Vjosa Osmani mblodhi në një takim partitë parlamentare për të diskutuar datën e zgjedhjeve parlamentare.
Në takim morën pjesë shumica e kryetarëve të partive, por jo edhe ai i LVV-së, Albin Kurti.
Ky i fundit kishte kërkuar që në takim të marrë pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjifca, mirëpo, sipas Presidencës, ftesa ka qenë për kryetarë të partive, prandaj edhe i ishte refuzuar kjo kërkesë – siç i ishte refuzuar edhe AKR-së. Në takim nuk mori pjesë as lideri i Listës Serbe.
Në atë takim ishin përmendur tri data të mundshme për zgjedhjet.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja patën deklaruar si datë 26 janarin. Kurse Mimoza Kusari-Lila si kryetare e partisë Alternativa njëherësh edhe shefe e deputetëve të LVV-së, i pati përmendur dy data – 9 dhe 16 shkurtin.
Presidentja Osmani, gjatë ditës së djeshme ka thënë se kanë marrë përgjigje nga shumica e partive politike, duke shtuar se edhe VV-ja ka dërguar propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.
“Unë s’po e bëjë të ditur sot datën, megjithatë ju kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj jave që nëse kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë ta ngrisin në ndërkohë”.
“Kemi marrë përgjigje nga shumica dërrmuese. Kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë vlerësime shtesë dhe pasi përfundon orari nesër, ulemi, dëgjojmë vlerësimet e kabinetit tim, të ekipit ligjor”.
“Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, besoj që nuk bënë diferencë të madhe. Po, ne i kemi njoftuar publikun para dy ditësh që kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministri më ka njoftuar me shkrim në lidhje me datën e preferuar të VV”, ka thënë presidentja Osmani.