Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua 25 vjet më parë – jam pro Kosovës në OKB

Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua 25 vjet më parë – jam pro Kosovës në OKB

Akademiku serb, Nenad Kostiq, ka thënë se Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë, ndërsa gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Fonet”, i pyetur nëse zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të arrihet përmes konferencës apo dialogut ndërkombëtar, Kostiq tha se gjatë historisë konferencat ndërkombëtare dhe konferencat e paqes janë organizuar shpejt pas përfundimit të luftës dhe se tani është tepër vonë për një gjë të tillë.

“Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë. Rruga e mëtutjeshme e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e ngushtë. Unë nuk shoh nevojën për një konferencë të madhe. Kjo duhet të merret vesh nga pushtetarët në Prishtinë dhe Beograd, natyrisht, nën kujdesin e fuqive të forta”, shtoi Kostiq, raporton media serbe “Danas”, transmeton Klankosova.tv.

Ai thotë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “është një iniciativë e dy vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës dhe që Serbia të pajtohet me fqinjët e saj sa më shumë që të jetë e mundur dhe përfundimisht një ditë të bukur t’i bashkohet BE”.

I pyetur për konfliktin e ngrirë, ai tha se konflikti nuk është i ngrirë, por po digjet dhe se problemi me çdo konflikt të tillë është se ai mund të shkrihet.

“Një konflikt i ngrirë është një fuçi baruti që pret vetëm ndezjen e fitilit”, paralajmëroi Kostiq, duke shtuar se ata që e mbrojnë atë ide fantazojnë se gjithçka do të funksionojë në favor të tyre në të ardhmen, por se ai është kundër një konglomerati të ngrirë.

Ai vuri në dukje se konfliktet duhet të zgjidhen me diplomaci dhe marrëveshje dhe përmendi shembujt e vendeve që kanë hyrë në luftë dhe po bashkëpunojnë sot, si Franca dhe Gjermania, Amerika dhe Japonia.

I pyetur për mundësinë e shpërthimit të një konflikti, Kostiq tha se konfliktet janë verbale, ideologjike dhe propagandistike dhe se Serbia nuk mund të provokojë konflikt derisa forcat e NATO-s janë në detyrë në Kosovë dhe as nuk mendon për këtë.

“Dhe është mirë që ajo nuk mendon”, tha Kostiq, duke shtuar se Kosova dhe Serbia janë të kufizuara në veprimet e tyre.

“Jemi aq të kufizuar në aktivitetet tona të politikës së jashtme, saqë ambasadori amerikan, kur me kërkesë të Presidentit të Republikës u zhvendos një bateri artilerie nga Nishi në Rashkë, erdhi dhe tha se duhej të kthehej në Nish dhe u kthye në Nish”, tha Kostiq.

Ai beson se Kosova është mjaft e dobët për të provokuar ndonjë konflikt serioz, i bindur se “mentorët perëndimorë” ua kanë ndaluar të provokojnë konflikt dhe se janë urdhëruar të “heshtin dhe të pësojnë” edhe një incident, siç ishte ai në Banjskë, për t’u pajtuar me Serbinë.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS), Kostiq beson se ishte në interesin e “minoritetit serb në Kosovë” që të ketë një autonomi dhe organizim territorial, por se, sipas tij, Kosova po e vështirëson shumë këtë çështje dhe nuk do ta përmbush obligimin nga Marrëveshja e Brukselit dhe se, gjithnjë sipas tij, shqiptarët e Kosovës nuk janë nën presion nga aleatët e tyre perëndimorë.

Ai vlerësoi se AKS-ja nëse do të krijohej do të ishte e dobët, por çështja ishte se sa do ta respektonin marrëveshjen të dyja palët.

“Unë jam shumë skeptik rreth perspektivës së një autonomie thelbësore, të dobishme, ekzekutive për serbët në Kosovë”, tha Kostiq.

I pyetur për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ai tha se si qytetar mund të jetë për çdo gjë, por pyetja është se çfarë duhet të bëjnë shtetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Ata duhet të zbatojnë marrëveshjen e tyre me shkrim në të cilën thuhet qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, përkujtoi Kostiq.

Ai e sheh zgjedhjen e Serbisë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian si një dikotomi të rrejshme dhe thekson se njerëzit nuk duhet të inkurajohen të besojnë se Serbia zgjedh diçka, sepse Serbia nuk zgjedh asgjë.

“Askush nuk po e ofron atë zgjedhje. Ka kaluar koha kur një diplomaci e aftë, e shkathtë, profesionale do të mund të merrte diçka në këmbim. Fatkeqësisht, Serbia vetëm humbet në të gjitha forumet diplomatike dhe nuk merr pothuajse asgjë, përveç disa premtimeve të vakëta për të ardhmen”, pohon akademiku serb.

Ai shtoi se do të ishte mirë që Serbia të anëtarësohet në BE, sepse do të ishte mirë për shoqërinë dhe për qytetarët, por se kjo mundësi dhe zgjedhje “varet fuqishëm nga pajtimi me Kosovën”.

I pyetur për referendumin si formë e vendimmarrjes për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Kostiq theksoi se në parim është përkrahës i referendumit, se është masë demokratike, por se është skeptik për referendumin që do të organizohej nga qeveria aktuale.

“Kam frikë se çdo referendum do të manipulohej, siç u manipuluan zgjedhjet. Si mund të presim një referendum kur kishim vjedhje masive të zgjedhjeve në dhjetor dhe zgjedhje të manipuluara në qershor, megjithëse më pak groteske”, përfundoi Kostiq.

Share This