Akademik Bajrami: Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse

Akademik Bajrami: Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse

Akademiku Arsim Bajrami,  ka kërkuar unitet të spektrit politik për tu ballafaquar me sfidat që Kosova ka para vetës.

Në këtë kontekst, Bajrami ka thënë se Kosova duhet të formojë qeveri gjithëpërfshirëse.

“Sa më shpejtë duhet të formohet një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, e cila duhet t’i përmbush detyrimet e pranuara ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, t’i heq sanksionet e pa drejta ndaj shtetit tonë dhe të forcojë partneritetin euro-atlantik të shtetit tonë”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Postimi i plotë i Bajramit:

Ftesë për unitet politik

Në këtë moment të rëndësishëm për shtetin tonë, ne ndjehemi të detyruar për të propozuar një unitet të nevojshëm politik mes të gjitha partive dhe liderëve politik. Kosova po përballet me sfida të shumta, dhe është koha që të bashkojmë forcat tona për t’i përballuar ato me sukses. Kjo është një imperativ i kohës, në momente, kur rendi i ri botëror po ndryshon me shpejtësi të paparashikueshme. Po kalojmë në momente kritike të rikonfigurimit politik në botë, kur vetëm me një unitet të partive politike në çështje shtetërore, Kosova mund të rreshtohet drejtë karshi sfidave me të cilat po përballemi.

Uniteti politik është themelor për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit tonë. Bashkëpunimi ndërpartiak nuk është vetëm një alternativë, por një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve tona.

Me ketë rast, partitë politike parlamentare dhe liderët e tyre duhet të ulen të gjithë së bashku, pa dallim ideologjie, për të diskutuar rreth mundësive të themelimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe të bashkëveprimit e  zgjidhjeve për sfidat tona të përbashkëta.

Për ta kryer shtetndërtimin, duhet t’i ruajmë miqtë, sepse rendi botëror po ndryshon. 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende nuk ka realizuar plotësisht misionin e pavarësisë sonë dhe vazhdojmë të ballafaqohemi me sfida në përmbylljen e procesit të shtetndërtimit dhe konsolidimin e sovranitetit tonë.

Situatë akoma më të mjegullt e kanë krijuar zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, të cilat mund të shkaktojnë vonesa në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit tonë.

Kosova ka humbur shumë kohë në përplasje të brendshme politike, ndërsa këto zgjedhje kanë krijuar një situatë kaotike, e cila mund ta vonojë edhe më tej përparimin e saj.

Në kontekstin aktual ndërkombëtar, Kosovës nuk i lejohet vonesa në krijimin e institucioneve shtetërore. Sa më shpejtë duhet të formohet një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, e cila duhet t’i përmbush detyrimet e pranuara ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, t’i heq sanksionet e pa drejta ndaj shtetit tonë dhe të forcojë partneritetin euro-atlantik të shtetit tonë.

Për ketë qëllim, ftojë të gjitha partitë politike dhe lideret politik, të lejnë anash inatet parazgjedhore dhe të tregojnë lidership në interes të Kosovës.

Ftoj presidenten e Kosovës ta ndihmojë ketë proces shtetëror.

Arsim Bajrami

Share This