AGK ka vërejtje në projektligjin për KPM-në, kërkon që të mos e votohet

AGK ka vërejtje në projektligjin për KPM-në, kërkon që të mos e votohet

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, sot përmes një konference për media, kanë bërë vërejtje në projektligjin për KPM-në.

AGK-ja e fton Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e votojë këtë projektligj që, sipas saj, shkelë standardet e Këshillit të Evropës dhe kërkon që draftimi i tij të bëhet përmes një grupi të gjerë punues që përfshinë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe industrisë së medias.

“Ne shprehim gatishmërinë tonë që të ndihmojmë procesin e draftimit me synimin për një ligj për media që është në pajtim të plotë më standardet evropiane”, thuhet në adresimin e AGK-së, për medi, raporton rtk.

Asociacioni përkujton se Kosova ka pësuar një rënie të paprecedentë dhe alarmante në indeksin e lirisë së mediave të Reporterëve pa Kufij, duke rënë për 19 vende në krahasim me vitin paraprak. Miratimi i këtij ligji nuk do të kontribuojë në përmirësimin e lirisë së mediave në vend.

“Projektligji për Komisioni e Pavarur për Media është draftuar nga qeveria në procedurë jotransparente, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe të industrisë së mediave dhe është aprovuar në qeveri në kohë festash të fundvitit. Komisioni për Media i Kuvendit të Kosovës e ka trajtuar projektligjin në një shpejtësi të madhe, pa përfshirje të shoqërisë civile ndërsa opozita përgjithësisht ka qenë e painteresuar në procesin e draftimit dhe nuk ka ofruar alternativa tjera nga ajo çfarë ka propozuar pushteti”, thuhet në reagimin e AGK-së.

 

Share This