AGK dënon fuqishëm gjuhën e rrezikshme të kryeministrit Kurti kundër medieve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon fuqishëm gjuhën e kryeministrit Albin Kurti kundër medieve. AGK vlerëson gjuhën e tij si të rrezikshme që “rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë”.
“Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtjes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij”, thuhet në reagimin e AGK-së, pasi VV-ja postoi fjalimin e Kurtit i cili sulmon mediat e Kosovës pasi u nominua si kandidat për kryeministër nga partia e tij.
AGK kërkon që mediat të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë.
“Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, ia rikujton AGK Kurtit.