AGK dënon deklaratat e Kurteshit në raport me mediat

AGK dënon deklaratat e Kurteshit në raport me mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të anëtarit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi. Sipas AGK-së, Kurteshi ka sulmuar mediet gjatë prononcimit për rastin e Astrit Deharit.

“Kurteshi ka akuzuar Klan Kosovën, Expressin dhe RTK-në: ‘për rol negative dhe dezinformues, sidomos me nxjerrjen e xhirimeve të paautorizuara. Në atë kohë RTK-ja mbulonte gjithë propagandën kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe arsyetonte arrestimet’. Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve dhe janë të papranueshme.

“Rasti Dehari ishte dhe mbetet me interes të lartë për publikun, dhe në atë kohë specifikat e atij rasti ishin ndarë në detaje nga vetë Lëvizja Vetëvendosje. Xhirimet e publikuara nga mediat kanë zbuluar rrethanat e ngjarjes në qendrën e paraburgimit ku pritej siguri e lartë, dhe ka kontribuar në informimin e publikut”, thuhet tutje në reagimin e AGK-së, raporton rtk.

Share This