Ademi viziton Kombëtaren e Izraelit në hotel, shpreson që të dielën të jemi dëshmitarë të një loje sa më të mirë dhe korrekte mes dy kombëtareve

Ademi viziton Kombëtaren e Izraelit në hotel, shpreson që të dielën të jemi dëshmitarë të një loje sa më të mirë dhe korrekte mes dy kombëtareve

Presidenti i Federatës së Futbollit, Agim Ademi ka njoftuar se ka vizituar homologun e tij izraelit, Shino Moshe Zuares në hotelin ku po qëndron Kombëtarja e Izraelit.

Këtë e ka bërë të ditur, Ademi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“I shpreha mirëseardhje në vendin tonë dhe ritheksova se Kosova është një vend mikpritës që di të çmojë shtetet mike”, ka shkruar Ademi.

Ademi ka potencuar se shpreson që “të dielën të jemi dëshmitarë të një loje sa më të mirë dhe korrekte midis Kosovës dhe Izraelit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024”.

Ndryshe, ekipi kombëtar në futboll i Izraelit ka arritur në Kosovë të premten, përderisa në aerportin e Prishtinës kishte masa të rrepta sigurie.

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Izraelit të dielën zhvillojnë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Dy autobusët e ekipit izraelit u shoqëruan nga disa makina të Policisë së Kosovës nga aeroporti deri në hotelin ku po qëndron ekipi, ku po ashtu kishte masa të shtuara të sigurisë.

Share This