
Ademi pret Jasharin: FFK do të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi të martën, ka mirëpritur futbollistin e talentuar Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli, ngjarje për të cilën u reagua gjerësisht në opinionin publik dhe nga të gjithë ju dha përkrahje këtij talenti.
“Federata e Futbollit e Kosovës edhe një herë dënon fuqishëm çdo formë dhune, teksa vendimet për lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas tashmë janë marrë, në përputhje me rregulloret e garave. FFK është e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues dhe të kujdeset që futbolli të vazhdojë të mbetet një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit. Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë! Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë në përkrahje Ty dhe të gjithë fëmijëve që po rriten si futbollistë në fushat e futbollit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.