Abdixhiku viziton minatorët e mbetur pa paga: Rrezikojnë të quhen tradhtarë nga popullistët dhe Politbyroja e Tiranës
Kryetari i LDK-së, Lumir Adbixhiku i ka takuar minatorët në minierën e “Trepçës”, të cilët ka gati një muaj që e kanë ndalur punën pasi kanë mbetur pa paga nga qershori.
Abdixhiku u takua me kryetarin e Sindikatës së Minatorëve Ibrahim Januzi dhe me minatorët të cilët tha se ka hezituar t’i takojë deri tash “me shpresën se çështja do të zgjidhej pa komplikim”.
“Çdo involvim i yni partiak, barte rrezikun e politizimit të kauzës së tyre. Por neglizhenca institucionale, e shtetit, e qeverisë popullsite, e vargut të gjatë të atyre përfituesve që Trepçën e Minatorët i përdorin si pamflet elektoral njëpërdorimësh, ka bërë observimin tonë të duket të pakuptimtë. Prandaj sot qëndrova me ta. I dëgjova nga afër. Vizitova dhe pashë kushtet – jo vetëm të rënda të punës, por antihumane. Aq antihumane, sa nuk i besoni pa i parë vet aty! Por sot kushtet, pajisjet primitive, që datonin, besoni ose jo, që nga viti 1919, sot janë në rend të dytë”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai theksoi se “plot 1100 punëtorë të Trepçës, janë pa paga dhe po futen në muajin e tretë pa asnjë pagë kompensim”.
“Punëtorët janë të Trepçës. Trepça është e shtetit. Ata kanë kontrata, kanë zotim shtetëror për pagën që duhet marrë. Partia në pushtet menaxhon me kompleks me Borde e me Menaxhment. Është përgjegjësi e tyre, e shtetit, që punëtorët e vet t’i kompensojë për punën dhe kontratën që kanë.
Prandaj, i mbështesim në plotni kërkesat e tyre”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se i mbështesin lutjet e tyre për kushte më njerëzore e kërkesat për investime afatgjata në kompleks që sot xehet e Kosovës, “në vend se ti shet në materiale të përpunuara i shtet si koncentrat me shumë më pak vlerë”.
Abdixhiku tha se “minatorët, në përballje me popullistë, rrezikohen të quhen dhe tradhtarë”.
“Deputetë e pushtetarë, që këtë muaj tashmë i kanë marrë pagat nga 2000 euro, nuk do të pritojnë që mesazhet e gatshme nga ‘Politbyroja e Tiranës’ t’i drejtojnë nga Minatorët. Siç kanë bërë më çdo vlerë në këtë vend, me aleat, mësues, mjek, patriot e atdhetarë, luftëtarë e veprimtarë, dhe minatorët kanë të njëjtin fat”, shkroi Abdixhiku.
“Fati i popullistëve është i shkurtër megjithatë”, shtoi ai.
Për dallim nga “terri i ndershëm i minatorëve, aty ku këta burra plakin një të tretën e jetës”, terri i “përfundimit popullist”, Abdixhiku tha se “do të jetë i padenjë”.
“Sepse Kosova është më e fortë se kaq. Populli i Kosovës është më i mençur se çfarë popullistët ndarës e përçarës kanë në mend. Kosova meriton më mirë! Minatorët meritojnë zgjidhje pa hezitim!”.