
Abdixhiku takon ambasadorin suedez: Qeveria e Tranzicionit, rrugëdalja më e mirë nga kriza institucionale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin foli për zhvillimet e fundit politike në vend dhe krizën institucionale në të cilën ndodhet Kosova.
Abdixhiku e informoi Westerlundin për qëndrimet e LDK-së në lidhje me situatën dhe propozimin e tyre për krijimin e një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje, sipas tij, e përkohshme dhe e përgjegjshme për ta tejkaluar krizën aktuale politike dhe për t’iu ofruar qytetarëve zgjidhje të menjëhershme të problemeve të përditshme.
“Kryetari Abdixhiku e theksoi se bllokada e krijuar institucionale është e papranueshme, po dëmton rëndë jetesën e qytetarëve si dhe po pengon funksionimin normal të shtetit. Ai vlerësoi se kjo gjendje e tejzgjatur, në mbledhje të Kuvendit për të 15-tën herë duke pritur rezultatin e njëjtë, e vështirëson jetën e përditshme të qytetarëve dhe minon besimin në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi se alternativa e propozuar nga LDK është rrugëdalja më e mirë nga kriza institucionale, dhe se Kosova ka nevojë sa më shpejtë për institucione funksionale dhe për një orientim të qartë drejt normalitetit demokratik”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u fol edhe për thellimin e bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Suedisë, ku Abdixhiku e falënderoi ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës gjatë proceseve të saj.