Abdixhiku: Programi i LDK-së, fuqizon mësimdhënësit dhe nxënësit

Abdixhiku: Programi i LDK-së, fuqizon mësimdhënësit dhe nxënësit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar sot fushatën parazgjedhore në Viti.

Ai nga kjo komunë ka thënë se programi i LDK-së do të bëjë që të ketë arsim cilësor.

“Në hapësirat e reja të Kampusit të Shkollave të Mesme në Viti, takova mësimdhënësit e kësaj qendre. Një projekt i jashtëzakonshëm që po përfundon nën udhëheqjen e kryetarit Sokol Haliti dhe me përkushtimin e mbështetjen e LDK-së,” ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tutje ka thënë se kampusi është dëshmi e qartë e vizionit të LDK-së për një arsim më të mirë, ku infrastruktura moderne krijon hapësira të përshtatshme për zhvillimin e brezave të rinj.

Ai, para mësimdhënësve, ka ndarë idetë për një sistem arsimor që fuqizon mësimdhënësit e nxënësit dhe që e çon Kosovën përpara.

“Programi ynë për arsimin do të sjellë: mësimin gjithëditor në së paku 5 komuna, koeficientin 150 për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit në javën e parë, ndërtimin e 80 çerdheve të reja publike, digjitalizimin e plotë të shkollave për një qasje moderne dhe të integruar për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Klasa me më pak nxënës, për më shumë vëmendje ndaj secilit nxënës dhe për mësimdhënie më cilësore. Kodimin si lëndë të detyrueshme në shkollat fillore, për të përgatitur nxënësit për epokën digjitale. Ne besojmë në mësimdhënësit tanë, në përkushtimin e tyre dhe në rëndësinë jetike të rolit që ata luajnë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën,” ka thënë Abdixhiku, raporton rtk.

Share This