Abdixhiku: Paratë e vjedhura do të kthehen cent më cent

Abdixhiku: Paratë e vjedhura do të kthehen cent më cent

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas lajmit se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Në një postim në Facebook ai ka thënë se edhe në Kosovë do të dalin prokurorë me guxim e integritet për të trajtuar çdo akt korruptiv, sidomos atë të pushtetarëve.

“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve” ka shkruar ai, raporton rtk.

Abdixhiku ka theksuar se dita kur këta njerëz do të veprojnë me integritet do të jetë një ditë krenarie për të gjithë, ndërsa thirrjet e politikanëve që mbrojnë korrupsionin vetëm sepse “hajni është i tyre”, nuk do të kenë më asnjë vlerë.

“Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”, ka shkruar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Share This