
Abdixhiku: Nga ky moment askush s’ka më arsye ta vonojë konstituimin e Kuvendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur qëndrimin e partisë së tij lidhur me situatën aktuale politike në vend.
Përmes një adresimi publik, Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja do të vazhdojë të jetë në opozitë, por është e gatshme të marrë pjesë në bisedime për zgjedhjen e një presidenti jopartiak.
Sipas tij, LDK-ja nuk kërkon poste apo përfitime politike në këmbim të mbështetjes për një kandidat konsensual për president.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së është që proceset institucionale të ecin përpara dhe se, sipas tij, nuk ekziston më asnjë arsye për vonesa në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
“Nga ky moment askush nuk ka arsye dhe të drejtë që të vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për presidentin”, ka thënë kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka bërë të qartë se partia e tij nuk synon përfshirje në pushtet, duke e paraqitur qëndrimin e LDK-së si një përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik dhe për t’i hapur rrugë funksionalizimit të institucioneve.
Sipas tij, dialogu për presidentin duhet të zhvillohet mbi bazën e interesit shtetëror dhe jo të kalkulimeve partiake.

