Abdixhiku në Suharekë takon mbi 50 sipërmarrës, ua prezanton lehtësirat tatimore: Bizneset dhe sektori privat në qendër të Rrugës së Re

Abdixhiku në Suharekë takon mbi 50 sipërmarrës, ua prezanton lehtësirat tatimore: Bizneset dhe sektori privat në qendër të Rrugës së Re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vizituar disa biznese në Suharekë, një ditë pasi prezantoi në Prishtinë programin e LDK-së për ekonominë. Abdixhiku përfaqësueve të këtyre bizneseve iu prezantoi lehtësirat tatimore.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se bizneset do ta kenë mbështetjen e LDK-së në Qeveri.

“Pasi shpalosa dje programin ekonomik në Prishtinë, sot, me ekipin tim, vizitova bizneset në Suharekë, në Zonën Industriale të Shirokës. Aty, pata një bashkëbisedim me mbi 50 pronarë biznesesh, të cilëve u prezantova vizionin tonë ekonomik, Pakon Fiskale 2.0, lehtësirat tatimore e projektet e mëdha shtetërore! Vizitova në veçanti fabrikën e prodhimit të pijeve freskuese Burim Ag me 45 punëtorë; e më pas dhe fabrikën e prodhimit të dyerve e dritareve Hazrolli Group me 50 punëtorë. Biseduam për sukseset, potencialin, dhe sfidat e bizneseve të tyre, dhe u zotova për mbështetjen konkrete dhe të fuqishme shtetërore që do ta kenë me qeverinë time dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.

Tutje, Abdixhiku përmendi orientimin e djathtë e zhvillimor për të vendosur bizneset dhe sektorin privat në qendër të programit “Rruga e Re”.

Misioni i shprehur nga Abdixhiku është për biznese të fuqishme, paga të dinjitetshme për punëtorët si dhe ekonomi e fortë.

“Me orientimin tonë të djathtë e zhvillimor, ne i kemi vendosur bizneset dhe sektorin privat në qendër të programit “Rruga e Re”, sepse ne besojmë fuqishëm se mbështetja për sipërmarrësit tanë është çelësi për një ekonomi të zhvilluar dhe për një të ardhme më të mirë për Kosovën! Ndryshimi po vjen, dhe këtë ndryshim do ta realizojmë bashkë – me bizneset dhe me qytetarët e vendit, për një ekonomi të shëndoshë dhe që sjell përfitime për çdo qytetar. Biznese të fuqishme! Paga të dinjitetshme për punëtorë! Ekonomi e fortë”, ka shkruar Abdixhiku.

Share This