Abdixhiku: Kujtim Shala për nënkryetar Kuvendi, Hykmete Bajrami shefe e GP

Abdixhiku: Kujtim Shala për nënkryetar Kuvendi, Hykmete Bajrami shefe e GP

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot para strukturave vendimmarrëse të partisë e ka propozuar akademik Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovë, si dhe dr. Hykmete Bajrami për shefe të Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Propozimi është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës; dhe të dy pozitat do të nominohen përkatësisht caktohen nga grupi ynë. Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, raporton rtk.

Seanca e sotme konstituive e Kuvendit dështoi pasi deputetët e zgjedhur të LDK-së, PDK-së, AAK-së, Listës Serbe dhe disa të pakicave tjera joserbe votuan kundër miratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, me arsyetimin se paraprakisht kabineti qeveritar duhet të ofrojë dorëheqje formale.

Këto parti, nuk e kanë vlerësuar korrekte letrën e dorëheqjes që ka paraqitur sot kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë.

Për shkak të mosvotimit të këtij raporti, seanca e sotme konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre dhe kryesuesi i saj, Avni Dehari tha se do t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hapat që do të merren në të ardhmen.

Share This