Abdixhiku i kërkon Rohdes heqjen e masave, flasin edhe për zhvillimet e fundit

Abdixhiku i kërkon Rohdes heqjen e masave, flasin edhe për zhvillimet e fundit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Abdixhiku tha se me Rohden folën për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për qëndrimet e LDK-së lidhur me këto çështje.

“Shpreha mirënjohjen time dhe të LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin ekonomik”.

“Ndërsa me theks të veçantë, fola për nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve tanë”.

“Bëra dhe thirrje për rishqyrtim të këtij vendimi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbajnë barrën e zhvillimeve politike”, shkroi Abdixhiku.

Ai më tej u shpreh se e uroi koalicionin e ri qeverisës në Gjermani, duke besuar në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm mes të dyja vendeve.

Share This