Abdixhiku: Do ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë për të gjithë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se partia e tij është e gatshme për një fushatë elektorale të fuqishme dhe një ndryshim të madh në vend.
Ai bëri këto komente gjatë një takimi me kryetarët e degëve të LDK-së nga e gjithë Kosova, ku u shpreh i sigurt për fitoren e partisë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sot, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike, prita në takim kryetarët e degëve tona nga e gjithë Kosova si konfirmim i përbashkimit, fuqisë, gatishmërisë dhe vizionit tonë për ndryshimin e madh që do ta sjellim me 9 shkurt,” tha Abdixhiku, raporton rtk.
Ai nënvizoi se LDK-ja është ringritur dhe po udhëheq valën e ndryshimit me një momentum të papërsëritshëm.
Abdixhiku theksoi se LDK ka degë të forta dhe një mbështetje të jashtëzakonshme qytetare, ndërsa theksoi se “Secila degë e jona anekënd vendit është e organizuar dhe e gatshme për fitoren tonë të madhe.”
Duke iu referuar mobilizimit qytetar dhe mbështetjes së gjerë që po merr partia, ai tha se LDK është duke u udhëhequr nga një energji pozitive.
Kryetari i LDK-së po ashtu theksoi se partia ka përgatitur një program të qartë për të ardhmen e Kosovës, duke përfshirë “programin Rruga e Re të përpiluar nga 270 ekspertë”, dhe se ata janë të vendosur për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për qytetarët e Kosovës.
“Me 9 shkurt, bashkë me qytetarët e vendit, do ta sjellim ndryshimin e madh që Kosova e meriton. Bashkë me ta, do ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë për të gjithë,” përfundoi Abdixhiku, duke ftuar qytetarët të bashkohen me LDK-në dhe të bëhen pjesë e ndryshimit.