Abdixhiku: Beteja jonë nuk është shtypja e mediave, por e ardhmja e vendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka bërë një postim në Facebook, ku ka deklaruar se “beteja jonë nuk është shtypja e mediave” e as instalimi i ndarjes e përçarjes mes njerëzve, duke aluduar kështu në shkrimin që publikoi RTK nga një gazetë boshnjake ku atakoheshin dy mediume në vend, të cilit i dha më pas jehonë pushteti.
Abdixhiku ka thënë se preokupimi i tyre është e ardhmja e vendit.
“Frustrimi popullor nuk është dhe s’ka qenë asnjëherë vlerë e popullit të Kosovës; prandaj përpjekjet e importuara për ngecje në urrejtje do t’i refuzojmë!”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në të njëjtin postim, Abdixhiku ka folur për punimet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, komunë që udhëhiqet nga LDK.
“…vazhdojmë sot me punimet e mëdha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq. Shtim i hapësirave, shtim i kapaciteteve, shtim i shërbimeve – në mënyrë që kjo QKMF të ofrojë kujdes modern shëndetësor për secilin banorë në këtë qytet!”, ka shkruar Abdixhiku.