Abbas: E gjithë administrata palestineze do të shkojë në Gaza
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas deklaroi se ai dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze kishin vendosur që të shkonin në Gaza.
Abbas mbajti një fjalim para ligjvënësve në Asamblenë e Madhe Popullore të Turqise (TBMM), në kryeqytetin Ankara.
Fjalimi 46-minutësh i Abbasit u duartrokit në këmbë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, deputetë dhe të ftuar.
Duke vlerësuar qëndrimin e Turqisë në mbrojtjen e të drejtave legjitime të popullit palestinez, Abbas tha se “do të vazhdojmë të qëndrojmë stoikisht dhe nuk do të braktisim tokat tona”.
“Populli ynë do të dëbojë uzurpatorët atje (në Palestinë) pa marrë parasysh çka të ndodhë”, tha Abbas duke falënderuar Turqinë, e cila ka dërguar dhjetëra mijëra tonë ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza.
“Nuk mund të ketë shtet palestinez pa Gazën”, tha Abbas.
Mes tjerash, presidenti Abbas theksoi se populli palestinez qëndron kundër “lëvizjes sioniste” që synon të kontrollojë gjithë rajonin.
“Do të rindërtojmë Gazën dhe shërojmë plagët tona me mbështetjen e shteteve arabe dhe islame, në kuadër të shtetit tonë të pavarur palestinez”, u shpreh Abbas.
Abbas, duke kërkuar mbështetjen e të gjithëve në lirimin e mbi 10 mijë palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite.
“Para nesh nuk ka mbetur asnjë zgjidhje, prandaj unë dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze vendosëm që të shkojmë në Gaza”, theksoi ai. /atsh/