A i anuloi ShBA trajnimet për Policinë e Kosovës?

A i anuloi ShBA trajnimet për Policinë e Kosovës?

Gjatë ditës në media është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë përjashtuar Njësitet Speciale të Kosovës nga trajnimet ndërkombëtare.

Kjo u tha se u bë si “sanksion” ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës me bastisjet policore në veri.

Por, këto raportime i kanë hedhur poshtë burime të Klankosova.tv brenda Njësisë Speciale të PK-së, të cilët thanë se pikërisht sot kanë marrë ftesë nga qeveria amerikane për trajnime.

“Ne kemi marrë sot ftesë për trajnim nga amerikanët. Në letër është edhe emri im. Letra ka ardhur sot në mesditë. Trajnimi është nga amerikanët, por nuk është cekur data se kur do të mbahet”, tha ky burim për Klankosova.tv.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë më 30 gusht të këtij viti, pas mbylljes se komunave paralele në veri të vendit, tha se Qeveria e Kosovës po e instrumentalizon Policinë “për të kryer veprime të pakoordinuara” dhe se sipas tyre, këto lëvizje nuk janë në përputhje me premtimin “do të vazhdojë konsultimi dhe koordinimi me komunitetin ndërkombëtar”.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, pati paralajmëruar ambasada e ShBA-së.

Në lidhje me raportimet për përjashtimin e njësiteve speciale nga trajnimet ndërkombëtare, Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e këtij lajmi, asnjëra palë nuk ka dhënë përgjigje.

Share This