A do t’i bashkohet Ismajli Napolit? Përgjigjet agjenti i lojtarit
Mbrojtësi shqiptar i Empolit, Ardian Ismajli kërkohet nga tri klubet e mëdha italiane.
Juventusi, Interi dhe Napoli janë skuadrat e mëdha të Serie A që e duan reprezentuesin e Shqipërisë, i cili po bën një sezon të madh me Empolin.
Agjenti i tij, Sergio Mezi në një intervistë për mediet italiane, ka thënë klienti i tij prej kohësh kërkohet nga Napoli.
“Kam një vit që flas me Napolin. Ai mund t’u bashkohej atyre në Janar. Ne diskutuam për këtë me drejtorin dhe punuam për një transferim të tillë. Nuk e di nëse marrëveshja do të arrihet, por të dy presidentët janë miq, gjë që mund të ndihmojë në negociata. Ismajli u kërkua nga Bologna kur trajner kishte Thiago Mottën. Kam dyshime që do e synojë tani për ta marrë te Juventusi edhe nëse kërkojnë një qendërmbrojtës. Edhe Romës iu ofrua, por në atë kohë, De Rossi e cilësoi si jo gati për atë nivel”, tha ai për “Telecapri”.
Kujtojmë se kontrata e Ismajlit me Empolin është deri në fundin e sezonit.