A do të luajë Edon Zhegrova për Lillen këtë edicion?

A do të luajë Edon Zhegrova për Lillen këtë edicion?

Kjo pyetje po shtrohet gjithnjë e më shumë mes tifozëve të skuadrës franceze, Lille, pasi ylli kosovar ka munguar për katër muaj.

Ai pësoi lëndim më 14 dhjetor në barazimin 1-1 ndaj Olympique Marseilles dhe që atëherë nuk është rikthyer në fushë. Një operim në janar dhe shtyrjet e njëpasnjëshme të rikthimit kanë shtuar pasigurinë për gjendjen e tij.

Trajneri Bruno Genesio konfirmoi së fundmi se Zhegrova nuk është ende gati për stërvitje të plotë dhe ndeshje zyrtare.

“Është vështirë t’u them më shumë se që di. Ai stërviti me ne të mërkurën, por nuk është ndier 100 për qind i gatshëm për të nisur me stërvitje të rregullta dhe më pas të konkurrojë për ndeshje kampionale. Është situatë e vështirë për ne, por sidomos për të. Është diçka e vështirë për të përballuar. Nuk e ka pranuar mirë. Nuk është në gjendjen më të mirë psikologjike”, ka thënë trajneri i Lille, Bruno Genesio.

Ai përmendi edhe vështirësitë psikologjike me të cilat lojtari po përballet, duke shtuar se situata është e rëndë sidomos për vetë Edonin, që e përjetoi rëndë mungesën nga ndeshjet, përfshirë atë kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

Megjithëse gjendja e tij është përmirësuar, shqetësimet në muskujt aduktorë vazhdojnë.

Me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, ende nuk dihet nëse ai do të rikthehet.   Zhegrova nuk është rasti i vetëm – pasi edhe lojtarë si Gudmundsson, Ndombele e Coulibaly kanë pasur probleme të ngjashme që kanë zgjatur me muaj.

Lëndimi erdhi në një moment të mirë për Zhegrovën, që ishte në superformë dhe pritej të hidhte hapin e madh në karrierë pas paraqitjeve të shkëlqyera në vjeshtë, përfshirë ndeshjen ndaj Real Madridit. Tani, qëllimi kryesor për të mbetet rikthimi në fushë.

Share This