A do të kthehet në Kosovë trupi i Faton Hajrizit, deklarohet Daçiq
Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiq sot në takimin e tij me homologun maqedonas Pançe Toshkovski në pikën kufitare në “Tabanoc” u pyet nëse trupi i pajetë i Faton Hajrizit do të kthehet në Kosovë.
Daçiq tha se për këtë nuk vendos MPB-ja dhe se nuk e di procedurën.
“Tani këtë me të vërtet nuk e di, sepse kjo del nga ajo që është për policinë. Kjo është pyetje për ata që e bëjnë hetimin, dhe nuk e di si veprohet në këto situata”, tha mes tjerash Daçiq.
Ndërkohë, Arianit Koci, avokati i autorizuar nga familja për të kthyer trupin e Hajrizit në Kosovë ka mbërritur sot në mëngjes në Serbi dhe ka filluar procedurat zyrtare për rastin.
Koci ka thënë se ka siguruar informacione se ku ndodhet kufoma e Hajrizit, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit ka deklaruar se nuk mund të ndajë më shumë informata.