
A do të fitojë Shqipëria përballë Serbisë? Ja çfarë thotë Gianni De Biasi
Gianni De Biasi ka bërë një parashikim për ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Në emisionin “Një Shqipëri”, drejtuar nga Mentor Nazarko, De Biasi u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha vitet e fundit dhe se, nëse skuadra hyn në fushë pa frikë dhe luan me inteligjencë, mund të arrijë fitoren.
“Është një ndeshje shumë e vështirë. Ata janë një ekip i fortë. Shqipëria ka bërë progres të madh vitet e fundit dhe ka shumë lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Nëse hyjmë në ndeshje pa frikë dhe luajmë me zgjuarsi, mund të fitojmë dhe të sigurojmë tre pikët e rëndësishme për klasifikimin tonë,” u shpreh De Biasi.
Ndërkohë, gazetari Dëfrim Methasani theksoi se shqiptarët e dëshirojnë fitoren.
“Çdo shqiptar dëshiron tre pikët, dëshiron fitoren. Madje, nuk pajtohet as me barazimin. Megjithatë, duhet të jemi realistë: Serbia është një skuadër më e fortë se ne,” tha Methasani.