A do i bashkohet SHBA sulmeve izraelite? Trump: Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Irani ka marrë ultimatumin përfundimtar

A do i bashkohet SHBA sulmeve izraelite? Trump: Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Irani ka marrë ultimatumin përfundimtar

Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të deklarojë qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në mënyrë aktive në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në rajon.

“Nuk mund ta them këtë. Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di se çfarë dua të bëj. Por mund të them këtë: Irani ka shumë probleme dhe dëshiron të negociojë”, tha Trump gjatë një aktiviteti jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Trump përsëriti disa herë bindjen e tij se Irani duhet të kishte qenë më i hapur ndaj negociatave përpara se të ndodhte sulmi izraelit, ndërsa shtoi se i ka dhënë mbështetjen kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, për veprimet ushtarake kundër Iranit.

“Unë thashë: Vazhdo. Unë flas me të çdo ditë. Ai është një njeri i mirë, që bën shumë. Irani duhet të kishte qenë i gatshëm për të negociuar para se Izraeli të godiste,” tha Trump.

Trump konfirmoi gjithashtu se i ka dhënë Iranit një ultimatum përfundimtar për çështjen bërthamore dhe agresionin në Lindjen e Mesme.

“Ndoshta mund ta quash ultimatumin përfundimtar — ultimatumin përfundimtar, apo jo?”, tha Trump.

I pyetur nëse i kishte ofruar Netanyahut ndihmë përtej mbështetjes aktuale, Trump tha se “Jo. Deri më tani, ai ka bërë një punë të mirë”.

Presidenti amerikan shtoi se zyrtarë iranianë kanë sugjeruar një mundësi kontakti të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë, megjithëse ai e quajti një proces të vështirë:

“Negociatorët e Iranit kanë sugjeruar se ‘mund të vijnë në Shtëpinë e Bardhë’, por është e vështirë. Shumë e vështirë”, tha ai.

Trump kërkoi sërish dorëzim pa kushte, ndërsa shtoi se nuk beson në qëllimet e deklaruara të Iranit për programin bërthamor.

“Nuk e di sa kohë do të zgjasë kjo. Mbrojtja ajrore iraniane është shkatërruar. Dy fjalë shumë të thjeshta: dorëzim pa kushte. E kam përjetuar edhe unë. Unë besoj që iranianët kanë qëllime të këqija me programin e tyre bërthamor. Dhe këtë e kam thënë për 20 vjet. Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore”, u shpreh presidenti amerikan.

Gjithashtu Trump pranoi se brenda Partisë Republikane ka zëra kritikë ndaj një ndërhyrjeje të mundshme amerikane, por theksoi se ka mbështetje edhe jashtë radhëve të ngushta të mbështetësve të tij tradicionalë.

“Mund të kem disa njerëz që janë pak të pakënaqur tani, por kam disa njerëz që janë shumë të lumtur. Pastaj kam njerëz jashtë bazës që nuk mund ta besojnë se kjo po ndodh, janë shumë të lumtur“, tha ai.

Ndërkohë që administrata aktuale amerikane dhe institucionet ushtarake po vlerësojnë skenarët e përfshirjes në rajon, Trump ka lënë të gjitha opsionet të hapura.

Të gjitha opsionet janë në tryezë,” theksoi ai, duke lënë të kuptohet se qëndrimi përfundimtar i SHBA-së do të varet nga zhvillimet e ardhshme në terren. /rtsh/

Share This