Kosovë – Izrael: Gjithçka që duhet të dini rreth ndeshjes
Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë një sfidë shumë të rëndësishme kundër Izraelit.
Ndeshja që ishte planifikuar të zhvillohet në muajin tetor u shty shkaku i luftës në Izrael, kurse do të luhet të dielën në “Fadil Vokrri”.
Edhe pse Kosova ka gjasa më pak se një për qind për të avancuar në Kampionat Evropian “Euro 2024”, fitorja është e nevojshme për t’u ngritur në renditjen e FIFA-s.
Kosova në përgjithësi ka një kombëtare më të mirë se Izraeli dhe këtë e dëshmon statistikat e dhëna në “Transfermarkt”.
Kombëtarja e Kosovës vlen plot 94.7 milionë euro, me kartonin e Amir Rrahmanit që vlen 25 milionë euro, që është mbi gjysma e tërë kombëtares së Izraelit që kushton 48.80 milionë euro.
Pra, bazuar në këto të dhëna Kosova mund të thuhet se është favorit i padiskutueshëm por duhet kujtuar se “Dardanët” janë pa një numër yjesh në këtë përballje.
Vetë kapiteni mungon shkaku që duhet të grumbullohet me Napolin kundër Empolit, derisa s’është i pranishëm as sulmuesi i Lilles Edon Zhegrova.
Si Gliha, ashtu edhe Hazan duan lojë me kundërzbritje
Të dy trajnerët, si Primoz Gliha ashtu edhe ai i Izraelit Alon Hazan luajnë me formacione klasike, por më pak dominim dhe kundërzbritje të shpejta përmes anësorëve.
Gliha në ndeshjet e Kosovës provoi formacionin 4-4-2, ku zhvillohej loja në krahë me anësorët që tentonin ta gjenin Vedat Muriqin, ose me disa kundërzbritje të shpejta kur kundërshtari sulmonte me shumë lojtarë.
Dallim bën vetëm ndeshja e fundit ndaj Andorrës, ku Kosova përdori formacionin 3-5-2 dhe ishte komplet dominuese për të fituar me rezultat 0:3.
Në anën tjetër, Izraeli i Hazanit të gjitha takimet i ka zhvilluar me formacionin klasik 4-3-3, ku pritej që ylli i Tottenhamit Solomon ta bënte dallimin por këtë herë do të jetë mungesa e madhe e izraelitëve.
Ndërkohë, kujtojmë se përballja do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.
Me renditjen aktuale, Izrael zë pozitën e tretë me 11 pikë të tubuara derisa Kosova renditet e katërta me shtatë sosh.