
Përparim Rama e Atifete Jahjaga vizitojnë bizneset e grave në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kanë vizituar disa prej bizneseve të drejtuara nga gratë në kryeqytet.
Rama ka vlerësuar punën dhe kontributin e tyre, duke theksuar se me pasion, vizion dhe përkushtim ato po i japin qytetit zhvillim dhe frymëzim të ri.
Ai ka nënvizuar se fuqizimi ekonomik i grave është themel për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Këto histori suksesi janë dëshmi se mbështetja kthehet në pavarësi dhe pavarësia në forcë për gjithë shoqërinë. Kryeqyteti do të vazhdojë të jetë krah grave që guxojnë të ndërtojnë një të ardhme përtej kufijve të zakonshëm”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Vizita e Ramës dhe Jahjagës vjen si mbështetje për promovimin e rolit të grave në sipërmarrje dhe zhvillimin ekonomik të Prishtinës.


