Daja: Ballkani meritoi me shumë se një pikë
Ballkani nuk ka arritur më shumë se një barazim ndaj Astanas, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit C në Ligën e Konferencës.
Kampioni i Kosovës ka barazuar pa gola 0:0 me Astanën, në stadiumin “Astana Arena” në Kazakistan, shkruan lajmi.
Pas ndeshjes ka folur trajneri i skuadrës nga Suhareka, Ilir Daja, i cili ka thënë se skuadra e tij ka merituar më shumë se barazimi.
“Besoj se meritonim më shumë sepse kemi kontrolluar më shumë topin, në përqindjen më të madhe e kemi diktuar lojën. Kemi pasur shanset tona që po të kishim shënuar do ta kishim fituar lojën. Kemi bërë një lojë shumë të mirë, sepse ndryshimi i orarit gati 5 orë me Kosovën është e ndjeshme por nuk e hetuam këtë”, tha Daja. “Bëmë një lojë akoma më të mirë se në Prishtinë edhe pse kishim përball një ekip të fortë fizikisht dhe taktikisht. Jam i kënaqur edhe me barazimin edhe pse fitorja do të ishte edhe rezultat më i mirë”.
Ai shtoi se gjithçka shkoi sipas planit, pasi Ballkani në këtë përballje luajti me dy qendërsulmues.
“Ndeshja shkoj sipas planit. Në mbrojtje kemi luajtur shumë mirë sepse e kemi studiuar mirë kundërshtarin, por në 20 metrat e fundit mund të kishim bërë zgjidhje më të mira. Kemi barazuar rekordin tonë të pikëve nga edicioni i kaluar. Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë sepse do t’i luajmë deri në fund shanset tona për të kaluar grupin”, tha Daja për ArtMotion.
“Ne nuk kemi pasur objektiv kalimin e grupit, por kjo pritshmëri është rritur pas fitores me Dinamon. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin për ta prezantuar më së miri futbollin e kampionatit të Kosovës dhe pastaj do t’i numërojmë pikët në fund të fazës së grupit”.
Viktoria Plezen vazhdon të jetë në vendin e parë me nëntë pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Astana renditet e dyta me katër pikë, po aq sa ka Ballkani në vendin e tretë.
Dinamo Zagreb renditet i fundit me vetëm një pikë.