Statistikat: Kane më mirë se Haaland, Lewa dhe Matishak
Mbërriti në fund të merkatos verore për rreth 95 milionë euro (shifër e zbuluar nga Henes), por shumë e panë me skepticizëm insistimin e Bayernit për ta afruar pasi sapo kishte mbushur 30-vjeç.
Pak muaj më vonë të gjithë skeptikët janë të detyruar që të bëjnë hapas pas, pasi ardhja e Kane ka qenë një “bekim” për klubin bavarez.
Brenda pak javësh kapiteni i Anglisë jo vetëm që është integruar në klub, por ka nisur të shkruajë faqe të rëndësishme të historisë të Bundesligës me fanellën e Bayernit veshur.
“Nuk është merita ime, një pjesë e suksesit i takon ekipit. Po bëjnë gjithçka që unë të ndihem komod. Ndeshje pas ndeshje po kompaktësohemi edhe më shumë”, ishin fjalët e Kane pas tri golave të shënuar një ditë më parë në Dortmund.
Tri golat janë vetëm “maja e ajsbergut” pasi 30-vjeçari nuk di vetëm të shënojë, por edhe ndihmon që të shënojnë.
Në dhjetë javët e para të Bundesligës ai ka realizuar plot 15 gola dhe ka dhuruar plot 5 asist. Që prej edicionit 1988/89, kur nisën që të regjistroheshin edhe asistet, asnjë lojtar nuk ka shifra të tilla në dhjetë ndeshjet e para në Bundesligë.
Në 2019/20 Erling Haaland pas dhjetë takimeve të para në Bundesligë kishte dhjetë gola dhe tri asist ndërsa Diego Ribas me Verderin në sezonin 2006/07 numëronte pesë gola dhe tetë asist. Në këtë plan vetëm Lewandowski i afrohet Kane pasi polaku në sezononin 2020/21 numëronte 18 gola/asist.
Në historinë e Bundesligës qëndron edhe emri i Klaus Matishak. Sulmuesi i Shalkes në edicionin e parë hisotirk të Bundesligës, 1963/64, shënoi 13 herë në 10 ndeshjet e para.
Mes krahasimeve qëndron edhe ai me Gerd Mylerin. “Bomberi i kombit” siç njihet ndryshe në Gjermani numëronte plot 15 gola pas dhjetë ndeshjeve të para të sezonit 1968/69.