Përleshje para finales së Libertadores, “përgjaket” Copacabana
E enjte e përgjakshme në plazhin brazilian të Copacabana (Rio de Janeiro), i cili fjalë për fjalë është kthyer në një fushë beteje midis tifozëve të Fluminense dhe argjentinasve të Boca Juniors, të cilët mbërritën me mijëra në kryeqytet në funksion të finales së Copa Libertadores të planifikuar në Maracanà të shtunën më 4 nëntor.
Sipas mediave lokale, vlerësimet fillestare tregojnë se dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Një situatë e rënduar edhe nga fakti se përplasjet në bregdet kanë ndodhur me plazhin plot me familje dhe turistë.
Gjithçka filloi kur rreth njëqind tifozë të Fluminense u drejtuan në zonën e tifozëve të organizuar nga Conmebol për tifozët e Boca-s pranë plazhit të Copacabana.
Fillimisht shkëmbimi u kufizua në disa brohoritje dhe ofendime, por brenda një kohe të shkurtër dy palët u përplasën.
Një situatë që më pas degjeneroi përfundimisht kur mbërriti policia braziliane dhe gjuajti me plumba gome dhe gaz lotsjellës drejt tifozëve.
Përplasjet vazhduan deri në orët e vona të pasdites dhe alarmi në Brazil është shumë i lartë duke qenë se përllogaritjet flasin për rreth 100-150 mijë tifozë argjentinas që kanë mbërritur për finalen e Libertadores.