UEFA bashkëpunon me “France Football” për çmimin e “Topit të Artë”, në vitin 2024 nis ndryshimi
Nga viti 2024, UEFA do të organizojë së bashku me revistën France Football ndarjen e çmimit prestigjioz “Topi i Artë”, duke heq dorë kështu nga çmimet e tyre historike, ku kanë zgjedhur më të mirët e vitit.
“Topi i Artë” 2023 u nda këtë të hënë ku fitues ishte Lionel Messi për herë të tetë në karrierë. Por, kjo do të jetë hera e fundit që çmimi i madh prestigjioz ndahet nga “France Football”.
UEFA dhe “Groupe Amaury”, pronar i kompanive mediatike “France Football” dhe “L’Equipe”, kanë njoftuar sot (e premte) një partneritet për të bashkëorganizuar “Topin e Artë” nga viti 2024.
Së bashku, UEFA dhe “Groupe Amaury” synojnë të rrisin statusin dhe shtrirjen globale të çmimit duke nxitur një ndjenjë uniteti dhe bashkëpunimi brenda komunitetit të futbollit.
Prezantuar çdo vit nga “France Football” që nga viti 1956, “Topi i Artë” është çmimi më prestigjioz që një futbollist mund të marrë në njohjen e arritjeve të jashtëzakonshme dhe talentit të jashtëzakonshëm.
Si pjesë e marrëveshjes, “Groupe Amaury” mbetet pronar i markës së “Topit të Artë” dhe do të vazhdojë të mbikëqyrë sistemin e votimit, i cili do të mbetet i pandryshuar dhe i pavarur. UEFA do të kontribuojë me ekspertizën e saj të futbollit, do të tregtojë të drejtat tregtare globale dhe do të organizojë galanë vjetore të çmimeve.
Për më tepër, dy çmime të reja do t’i shtohen programit; një trajner i vitit për meshkuj dhe femra, i cili do të njohë kontributin e paçmuar të trajnerëve për suksesin në fushë.
Formacioni aktual i trofeve do të vazhdojë me të njëjtët emra, “Topi i Artë” për meshkuj, “Topi i Artë” për femra, Trofeu “Kopa” (lojtari më i mirë nën 21 vjeç), trofeu “Yashin’ (portieri më i mirë), Trofeu Gerd Muller (krye golashënues në sezonin e kaluar), Trofeu i Klubit të Sezonit për Meshkuj, Trofeu i Klubit të Sezonit të Femrave dhe Çmimi Socrates (punë humanitare).
“Nga viti 2024, UEFA do të bashkëorganizojë Topin e Artë, ceremoninë më prestigjioze të çmimeve në futboll, duke nderuar lojtarët më të mirë të sportit tonë së bashku me Groupe Amaury.
Ne gjithashtu do të prezantojmë një çmim të ri Topi i Artë për trajnerin e vitit për meshkuj dhe femra”, thuhet në njoftimin e UEFA-s