Izraeli, një stërvitje dhe shumë siguri
Vetëm një seancë stërvitore ka planifikuar të zhvillojë përfaqësuesja e Izraelit në futboll para ndeshjes ndaj Kosovës. Izraeli do të grumbullohet më 10 nëntor, ndërsa një ditë më vonë do ta zhvillojë një stërvitje para ndeshjes kundër Kosovës.
Stërvitjen është planifikuar ta mbajë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ku më 12 nëntor do të përballet me “Dardanët”, në ndeshjen e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2024”-ës.
Tri ditë para se të luhet ndeshja, Izraeli ka planifikuar të dërgojë një numër të madh të sigurimit shtetëror të Izraelit në Prishtinë.
“Një zyrtar i sigurisë shtetërore të Izraelit ka qëndruar javën e kaluar në Kosovë”, – ka deklaruar të mërkurën një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFFK), duke folur për mediat e Prishtinës në kushte anonimiteti.
“Më 9 nëntor do të vijnë një pjesë e delegacionit të Izraelit bashkë me ekipin e sigurisë, – ka vijuar ai. –
Ekipi do të vijë në Prishtinë më 10 nëntor, kurse më 11 nëntor është planifikuar stërvitja e vetme e Izraelit në Prishtinë. Më 12 nëntor është ndeshja. Por tri ditë para ndeshjes do të jetë në Prishtinë një numër i madh i sigurimit shtetëror. Edhe UEFA do ta dërgojë zyrtarin e sigurisë. Do të ketë edhe gazetarë nga Izraeli”, përfunduar zyrtari në fjalë.
Disa hollësi rreth grumbullimit të Izraelit për ndeshjen ndaj Kosovës kanë raportuar të mërkurën edhe mediat izraelite.
Sipas tyre, futbollistëve të Izraelit tashmë i janë dërguar video të ndeshjeve të Kosovës për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen që i takon Grupit I të Eliminatoreve.
Ndeshja Kosovë-Izrael u shty nga UEFA për shkak të situatës së fundit në Lindjen e Mesme, ashtu sikundër nuk u luajt muajin e kaluar as ndeshja e Izraelit kundër Zvicrës.
Pas Kosovës, Izraeli do t’i ketë edhe tri ndeshje të tjera. Pra, për 9 ditë, do të ketë 4 ndeshje në kuadër të Eliminatoreve për Evropianin e vitit të ardhshëm.