Milani pas një jave makthi
7 javë më parë Milani ishte i pari në klasifikimin e Serisë A, konkurrues në grupin e tyre në Ligën e Kampioneve dhe me pothuajse të gjithë skuadrën në dispozicion.
Ndërsa të hënën e 30 tetorit gdhihet i shkërmoqur, pas një jave makthi. Bota e kuqezinjve duket e përmbysur dhe skuadra e Piolit, pas tri ndeshjeve të rëndësishme Juve-Psg-Napoli është me kocka të thyera.
Dy disfata dhe një barazim, të cilat kanë një emërues të përbashkët, për defekte në filozofinë e lojës ose për gabime individuale, që në këtë nivel paguhen shtrenjtë. Krijojnë nervozizëm në dhomat e zhveshjes. Pa harruar infermierinë dhe mbi të gjitha mungesa e alternativave. Trajneri, i cili prej ditësh akuzohet për arrogancë, nga ata që e kritikojnë për mungesën e prirjes për t’u përshtatur me lojën e kundërshtarëve, pas dy golave të shënuar në pjesën e parë me Napolin, mendoi se e kishte mbyllur ndeshjen.
Dhe në pjesën e dytë ai nuk ishte aq i kthjellët dhe gati për t’u përshtatur me Napolin e rikonceptuar nga Garcia. E në 10 minuta para përfundimit, dy zëvendësimet që lanë pa fjalë të gjithë. Giroud dhe Leao. Nervozizmi i dy besnikëve të trajnerit ishte i dukshëm.
Theo është i panjohur për javë të tëra, Leao nuk ka shënuar prej më shumë se një muaji, Maignan pëson gol edhe nga 30 metra larg. Në këto kushte Pioli ka për detyrë të rikthejë qetësinë dhe ndërgjegjësimin e ekipit dhe stafit mjekësor për të nxjerrë dikë sa më shpejt nga infermieria.