Fundjava e “Legjionarëve”
Mund të konsiderohet një fundjavë pozitive për legjionarët tanë që aktivizohen në kampionatet europiane. inter arriti një fitore të rëndësishme në kampionat përballë Romës.
Goli u shënua nga Thuram në minutën e 81’, një realizim që u gatua nga këmbët e Kristjan Asllanit. Mesfushori shqiptar hyri në fushë në minutën e 75’ dhe u fut shumë mirë në lojë, duke kapur ritmin e ndeshjes, teksa i dhuroi një top spektakolar Dimarkos, i cili më pas e shndërroi në një asist për Turam që nuk fali brenda zonës. Asllani ka marrë elozhet e mediave italiane, por edhe të trajnerit Simone Inzaghi i cili pas ndeshjes u shpreh
“Asllani erdhi me një personalitet të madh, po rritet shumë. Ka një vit e gjysmë këtu, e di që është ndryshe të luash te Interi. Por ai po i gdhend minutat vetes sepse ai ka kualitet të madh dhe është një profesionist i madh. Jam shumë i lumtur me të”.
Sa i përket lojtarëve të tjerë, Ramadani vazhdon të jetë një titullar fiks te skuadra e Lecces. 90 minuta në fushë për mesfushorin, por fatkeqësisht skuadra e tij pësoi një humbje ndaj Torinos me rezultatin 0-1.
Sivaspor fitoi 2-1 ndaj Antalyaspor, përballje kjo e vlefshme për javën e dhjetë të Superligës turke. Rey Manaj hyri në fushë në minutën e 79’ dhe disa sekonda nga përfundimi i takimit, ia doli të shënonte golin e avantazhit dhe të fitores.
Menjëherë nisi edhe festa e madhe me lojtarin e Shqipërisë që i dhuroi tre pikët Sivaspor.