Partizani godet në fund, vendos Keko
Partizani, vjen fitorja e tretë radhazi nën drejtimin e Arbër Abilaliaj.
Drejtori sportiv, në rolin e trajnerit, ka arritur të marrë tri pikë mjaft të rëndësishme që e ngjisin në vend të parë, me pikë të barabarta me Egnatian, por të kuqtë kanë një ndeshje më pak. Gjithçka u vendos në limite nga një gol i shënuar nga sulmuesi Keko.
Në “Arena e Demave”, pjesa e parë ishte e varfër, me pak raste, por që prodhoi mundësinë më të mirë për Teutën. Maget pengoi në mënyrë të parregullt Filin brenda zonës dhe për gjyqtarin nuk ka dyshime, penallti për bregdetarët. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar pasi Fili gjuajti në mënyrë të gabuar duke e dërguar topin jashtë kuadratit.
Pjesa e dytë kishte një tjetër ritëm për të kuqtë, të cilët krijuan shumë por pa arritur të konkretizojnë, kjo dhe për meritë të portierit të durrsakëve, Dema, me pritje të njëpasnjëshme. Atëherë kur mendohej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, është Keko që lëshon një të majtë duke shënuar golin me vlerën e tri pikëve. 1-0 për Partizanin në këtë javë të 10-të të Superiores.