Owen ngre në “yllin” e Realit: Futbollist dhe njeri i madh, ka gjithçka për të fituar “Topin e Artë”
Michael Owen ka dhënë një intervistë për Marcan, ku ka folur për përvojën e tij të shkurtër te Reali dhe për tema të tjera.
Përvoja te Reali: “E dua qytetin, njerëzit… ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Isha në një ekip të madh me Raulin, Morientesin, Ronaldon… por, në fund të sezonit, klubi bleu lojtarë si Robinho.
Fatkeqësisht, karriera ime atje ishte më e shkurtër nga sa doja, por Madridi ishte i mirë me mua, nuk më detyruan të largohesha apo asgjë. Thjesht mendoj se atë verë më duheshin para për të blerë Sergio Ramos dhe isha zgjidhja më e lehtë për t’u shitur. Nga Premier League më kërkonin dhe u ktheva.”
Pengu i Owen: “Do të kisha dashur të qëndroja më gjatë, por mendoj se koha ime atje ishte e suksesshme. Nuk ishte as viti më i ndritshëm i klubit. Ne nuk e fituam La Ligën. Por nëse më pyesni nëse ishte sukses apo dështim, mendoj se ishte më shumë e para. Në fakt, njerëzit atje më duan dhe sa herë që kthehem në Madrid, tifozët më trajtojnë shumë mirë”.
Anglezët, “dështakë” në Spanjë? “Nuk e di nga e nxjerrin këtë, nuk e kuptoj. Shikoni McManaman, i cili ia doli; ose në rastin tim. Kam shënuar shumë gola dhe kam qenë i suksesshëm. Madridi më bleu për tetë milionë dhe më shiti për 16. Edhe Beckham është gjithashtu një sukses … dhe për të mos përmendur Bellingham. Nuk mbaj mend ndonjë dështim anglez atje!”
Bellingham, Topi i Artë i ardhshëm: “I ka mundësi, pa dyshim. Ai është një lojtar i veçantë. Për ta fituar duhet të jesh më i miri në një ekip të madh. Dhe nëse Madridi fiton Ligën ose Ligën e Kampionëve, mund ta fitojë. Ai nuk është vetëm një futbollist i madh, por një person shumë i veçantë, shumë i këndshëm. Jude ka gjithçka për të qenë i mrekullueshëm dhe, për më tepër, ai është i guximshëm. Një nga çelësat për të qenë i suksesshëm jashtë vendit është të përshtatesh shpejt. Jude po e bën këtë. Ai dëshiron të flasë spanjisht, të jetë i sjellshëm me njerëzit… Ai i ka të gjitha. /SS/