Dy fitore pa pësuar gol, Shqipëria ngjitet në renditjen e FIFA-s
Fitorja 3-0 përballë Çekisë (12 tetor) ka afruar kombëtaren kuqezi me Europianin Gjermani 2024.
Tashmë nevojitet një pikë në dy sfidat e fundit përballë Moldavisë dhe Ishujve Faroe që skuadra e Sylvinhos të sigurojë matematikisht kualifikimin në Europianin e verës së ardhshme.
Kuqezinjtë triumfuan 2-0 edhe në miqësoren përballë Bullgarisë, e luajtur pesë ditë pas triumfit historik ndaj çekëve. Dhe dy sukseset e muajit tetor kanë sjellë ngjitjen e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s.
Kombëtarja renditet në vendin numër 59, tri pozicione më sipër krahasuar me renditjen e muajit të kaluar. Synimet e radhës janë fitoret në Moldavi dhe me Ishujt Faroe në “Air Albania”.
Që do të sillnin “blindimin” e vendit të parë në grupin E, gjithashtu edhe një pozicionim edhe më të mirë në renditjen e FIFA-s.
Shqipëria sfidon Moldavinë në transfertë në datën 17 nëntor (18:00), teksa tri ditë më vonë zbarkojnë Ishujt Faroe në kryeqytetin shqiptar.
Sipër kuqezinjve në renditjen e FIFA-s qëndrojnë Polonia (31) dhe Çekia (41). Ndërkohë që Ishujt Faroe dhe Moldavia mbajnë pozicionet numër 135 dhe 157. /SS/