Hera e parë në histori, Milani shënon statistikën e tmerrshme në Ligën e Kampioneve
Milani ka dalë kokulur nga “Parc Des Princes” sot duke u mundur me shifrat 3-0 përballë PSG.
Rezultat që e lë në vendin e fundit të grupit ekipin kuqezi dhe që konfirmon të dhënën e frikshme që kjo skuadër nuk di më të shënojë.
Në fakt, për herë të parë në historinë e vet, Milani ka nisur sezonin në këtë turne duke mos gjetur rrugën e rrjetës në tre ndeshje radhazi. Dy barazimet 0-0 në sfidat e para dhe humbja e sotme 3-0 në Paris bëjnë të qartë se kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt nëse skuadra e Piolit kërkon kualifikimin.
Sikur të mos mjaftonte kjo, duke i shtuar edhe dy rezultatet ndaj Interit në edicionin e kaluar, Milani u bë skuadra e parë italiane në historinë e Ligës së Kampioneve që nuk shënon në 5 ndeshje radhazi.
Milani luan dy ndeshjet e radhës në shtëpi, pasi fillimisht do të presë PSG-në e më pas Borusia Dortmundin para se të luajë sfidën e fundit në transfertë përballë Neëcastle.