PSG-Milan, flasin Enriqeu e Pioli në prag të supersfidës
Dita e mërkurë rezervon një përballje interesante mes PSG dhe Milanit, sfidë e vlefshme për raundin e tretë në Grupin F të Champions League.
Milan ka vetëm një pikë në dy ndeshje çka e bën situatën edhe më të vështirë. Trajneri i Milanit Stefano Pioli ka folur në lidhje me këtë përballje.
“Fatkeqësisht nuk kemi fituar ende në dy ndeshjet e para. Dy përballjet kundër PSG-së do të jenë shumë të rëndësishme. Shpresoj që të mos jetë vendimtare dhe besoj se ky grup do të vendoset në ndeshjen e fundit. Kemi zhvilluar dy ndeshje të nivelit të lartë me ritëm, intensitet dhe energji. Pastaj futbolli është i çuditshëm dhe i paparashikueshëm. Si do e ndalim Mbapen? Do të na duhet që ta mbajmë sa më shumë topin në zotërim. Duhet të jemi shumë kompaktë dhe agresive”, tha Pioli.
Skuadra e PSG ndodhet në vendin e dytë në kuotën e tre pikëve dhe humbja turpëruese ndaj Neëcastle duhet të harrohet shpejt, këtë e përmendi edhe Luis Enrique në konferencën për shtyp, raporton rtsh.
“Ishte një ndeshje që mund të kishim bërë më mirë, ne jemi shumë të zemëruar për këtë. Dihet se çfarë vlere ka Milan, është një skuadër e madhe dhe si të gjitha ekipet ka ulje dhe ngritje. Për mendimin tim Milan po bën shumë mirë tani, mënyra si luan me topin, trajneri që ka është në një moment të mirë. Prandaj thonë se ky është grupi i vdekjes”, tha Luis Enrique.