Xavi do fitore ndaj Shakhtar Donetsk, kërkon të mos gjenden justifikime
Barcelona nuk mund t`i përdorë situatën e lëndimeve dhe ndeshjen në ligë kundër Real Madridit si justifikime për një paraqitje të dobët në ndeshjen e mesjavës në Champions League kundër Shakhtar Donetsk, ka paralajmëruar trajneri Xavi Hernandez të martën.
Barcelona ka disa futbollistë të lënduar duke përfshirë Robert Lewandowski, Sergi Roberto, Jules Kounde, Frenkie De Jong dhe Pedri.
Barcelona kryeson Grupin H me gjashtë pikë pasi ka fituar dy ndeshjet e para pa pësuar gol. Porto e Portugalisë është e dyta me tre pikë, para Shakhtarit në vendin e tretë me aq pikë po me dallim golash.
Në La Liga, Barcelona është e treta në renditje, pas liderit Real Madrid dhe Gironas në vend të dytë.
“Tre pikët nesër kundër Shakhtarit janë kyçe për objektivin tonë. Kjo është Champions League, gara më e madhe për klubet dhe për ne është shumë e rëndësishme të marrim pikë të plota. Shakhtar është një skuadër e fortë dhe mendoj se mund të na shkaktojnë probleme. Ne nuk mund të humbasim fokusin”, ka thënë spanjolli.