Luis Enrique: Milani një ekip i madh, ky është grupi i vdekjes
Luis Enrique po përgatitet të përballet me Milanin në ditën e tretë të Grupit F të Ligës së Kampionëve, një sfidë shumë delikate si për kuqezinjtë ashtu edhe për PSG-në e tij.
“Milani është një skuadër e madhe, e cila gjithmonë ka luajtur në kompeticionet e mëdha – thotë trajneri spanjoll në konferencën për shtyp – Si të gjitha skuadrat ka ulje dhe ngritje, por për mendimin tim ata po bëjnë shumë mirë tani. Kanë një trajner të madh dhe luajnë mirë me topin. Kjo është arsyeja pse thonë se ky është grupi i vdekjes, sepse të gjithë mund të kalojnë”.
PSG është me 3 pikë, Milan me 2 pikë dhe të dy ndjekin Neëcastle në renditje: “Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë dhe tani kemi dy përballje direkte. Deri në fund të grupit nuk do të dihet se kush do të kualifikohet. Për ne janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sepse do të ndikojnë në rrethanat e dy të tjerave, tani po mendojmë një ndeshje, do të luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë dhe do të duhet të luajmë më mirë se Milani, që të fitojmë”.
Më pas ai foli për filozofinë e lojës së ekipit të tij: “Ne jemi një skuadër që gjithmonë kemi sulmuar, që gjithmonë e kemi pasur topin. Është një mesazh që lojtarët tashmë e dinë: duhet të sulmojmë gjithmonë më shumë se kundërshtari, por duhet gjithashtu të dimë të mbrohemi. Është e rëndësishme të dish të përdorësh presingun, prandaj jam këtu dhe lojtarët e kanë kuptuar. Jam optimist për atë që shoh dhe ndjej, kur shikoj lojtarët e mi të stërviten, si jetojnë. Mund të përmirësohesh gjithmonë, por shoh që tifozët tanë vlerësojnë kur shohin se skuadra e rikuperon topin lart. Ata duan që ne të luajmë me presion të lartë, që jemi gjithmonë përpara, që sulmojmë. Ata vlerësojnë guximin tonë, ne duhet të jemi në gjendje të luajmë kështu gjatë gjithë ndeshjes”.
Për Gigio Donnarumma-n: “Të gjithë kemi mundësi të përmirësohemi. Para se të mbërrija në Paris e dija që Donnarumma ishte një nga portierët më të mirë në botë, e kisha takuar si kundërshtar. Sigurisht ai mund të përmirësohet, profesionalisht dhe nga ana njerëzore. Por ai tashmë është shumë i fortë dhe jam shumë i lumtur që e kam”. /rtsh/