Almir Kryeziu “Ylli i Javës”, premton më të mirën kundër Astanës
Futbollisti i FC Ballkani, Almir Kryeziu e ka rrëmbyer çmimin “Ylli i Javës” për xhiron e dhjetë në elitën e futbollit të Kosovës.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Skënder Kapra, Luan Tabaku, Fisnik Ademi. Komisioni e vlerësoi Kryeziun si më të mirin për faktin se ai shënoi dy gola në fitoren e kampionëve në fuqi përballë FC Liria (4-1).
Pasi mori këtë çmim sulmuesi u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme për të ruajtur kreun e tabelës.
“Jam mirënjohës ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës për vlerësimin e tyre, po ashtu falënderoj edhe bashkëlojtarët e mi dhe shtabin teknik të Ballkanit për përkushtimin dhe përkrahjen gjatë ndeshjes së fundit. Ishte një përballje e veçantë dhe dëshiroj të theksoj se ishte një sfidë e vështirë për mua dhe skuadrën time, sidomos duke qenë në disavantazh kundër skuadrës së fortë të Lirisë. Gjithashtu, është e rëndësishme të përmend se kjo ndeshje kishte një ndjenjë të veçantë për mua. Në fakt, kjo ishte emocionale për mua, pasi kam kaluar shumë vite në shkollën e futbollit të Lirisë, ku jam rritur duke kaluar përmes të gjitha grupmoshave”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai ka folur edhe për sfidën e radhës së portokallezinjve në Ligën e Konferencës kundër Astanës.
“Ne jemi të gatshëm për këtë sfidë. Do të jemi të përgatitur dhe do të japim më të mirën tonë në fushë. Kemi një skuadër të fortë dhe besoj se mundemi të arrijmë suksese në këtë kompeticion”, ka shtuar Kryeziu.