
Alaba largohet nga Reali, nuk është në planet Alonso-s
David Alaba pritet të largohet nga Real Madrid në verën e ardhshme si lojtar i lirë, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri, Xabi Alonso.
Sipas “AS”, ‘Los Blancos’ nuk kanë ndërmend të rinovojnë kontratën me mbrojtësin austriak, pas dy sezonesh të mbushura me lëndime dhe mungesa të shumta në fushë.
Alaba ka zhvilluar vetëm 31 ndeshje në të gjitha garat gjatë dy viteve të fundit. Ai pësoi një lëndim të ligamentit të përparmë të gjurit (ACL) në dhjetor 2023 dhe më pas një tjetër lëndim në muskujt aduktorë të të njëjtës këmbë në fillim të vitit 2025.
Përveç problemeve fizike, Real Madrid thuhet se dëshiron gjithashtu të heqë dorë nga paga e tij e lartë. Alaba aktualisht përfiton rreth 22.5 milionë euro në vit, një shifër që konsiderohet e pajustifikueshme për një lojtar me kontribut të kufizuar.
Xabi Alonso, nga ana tjetër, duket i kënaqur me opsionet që ka në repartin defensiv pas transferimit të Dean Huijsen nga Bournemouth dhe paraqitjeve premtuese të të riut Raul Asencio.