Dumfries: Thashethemet për largimin e Inzaghit na shqetësuan para finales

Dumfries: Thashethemet për largimin e Inzaghit na shqetësuan para finales

Mbrojtësi i Interit, Denzel Dumfries, e ka pranuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij janë ndikuar nga zërat që qarkullonin për të ardhmen e trajnerit Simone Inzaghi, pikërisht përpara finales së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.

Pak ditë para sfidës më të rëndësishme të sezonit, Inzaghi ishte lidhur me një transferim të bujshëm te klubi saudit Al Hilal.

Në fund, Interi pësoi një humbje të rëndë 5-0, duke hyrë në histori si disfata më e thellë ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampionëve.

Pas finales, trajneri Inzaghi zgjodhi të largohej nga klubi, dhe Dumfries, 29 vjeç, ka zbuluar për “Gazzetta dello Sport” se skuadra ishte e prekur nga situata.

“Ishte shumë e vështirë për mua dhe për të gjithë ne, sepse ishim shumë të lidhur me Inzaghin. Unë erdha te Interi me të, gjithçka që kam ndërtuar këtu, e kam ndërtuar me të. Për katër vite ishim si një familje”, tha Dumfries.

“Thashethemet nuk na ndikuan në përgatitjen për finalen, por është e qartë se i lexonim. Ishin zëra që i mbanim brenda nesh, pa folur mes vete, sepse të gjithë ishim të përqendruar vetëm te finalja. Ju siguroj se në kokat tona ishte vetëm PSG dhe asgjë tjetër”.

Në fund, holandezi shprehu edhe ëndrrën e tij të madhe:

“Ëndrra ime me Interin është e thjeshtë: të fitoj Ligën e Kampionëve, e vetmja gjë që më mungon. Do të doja ta sjell trofeun në Milano dhe ta festoj mes një deti tifozësh, siç ndodhi me yllin e dytë”, përfundoi Dumfries.

Share This