Sulm vetëvrasës i ISIS në një kishë në Damask, 22 viktima dhe 63 të plagosur

Sulm vetëvrasës i ISIS në një kishë në Damask, 22 viktima dhe 63 të plagosur

Të paktën 22 persona humbën jetën dhe 63 të tjerë u plagosën pas një sulmi vetëvrasës me bombë në një kishë në Damask, i kryer nga militantë të lidhur me Shtetin Islamik (ISIS).

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së dielës në kishën ortodokse greke Saint Elias, e vendosur në lagjen historike të krishterë të qytetit. Gjatë meshës, një person i armatosur hyri në kishë, hapi zjarr dhe më pas aktivizoi një jelek shpërthyes mes qindra besimtarëve të pranishëm.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Sirisë, brenda kishës ndodheshin mbi 350 vetë. Dëshmitarët okularë treguan për panik të madh dhe një shpërthim të fuqishëm që shkatërroi ambientin e brendshëm të ndërtesës.

Burime nga vendngjarja, raporton The Guardian, thanë se një person i dytë i armatosur gjithashtu qëlloi mbi besimtarët, por nuk kreu vetëvrasje.

Banorët raportuan se pas shpërthimit dëgjuan sirenat e emergjencës dhe panë forcat e sigurisë që rrethuan zonën menjëherë.

Ky është sulmi i parë vetëvrasës në Siri që prej rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit të kaluar, dhe një prej operacioneve më të mëdha të ISIS-it në muajt e fundit. Sipas autoriteteve, grupi ka përfituar nga pasiguria në vend për të rikuperuar armatime të braktisura nga trupat e regjimit të mëparshëm.

Ministri i Informacionit i Sirisë, Hamza al-Mustafa, e dënoi ashpër aktin duke thënë se: “Ky akt frikacak bie ndesh me vlerat e qytetarisë që na bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithë sirianëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të ruajnë paqen civile.” /rtsh/

Share This