Irani: Sulmet e SHBA do kenë pasoja të përjetshme. Izraeli: Vendimi ishte historik 

Irani: Sulmet e SHBA do kenë pasoja të përjetshme. Izraeli: Vendimi ishte historik 

Pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit, tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, i cilësoi sulmet si një “shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së” dhe paralajmëroi se ato do të kenë “pasoja të përjetshme”.

“Ngjarjet e këtij mëngjesi janë të shëmtuara dhe do të kenë pasoja të përhershme. Irani rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e tij. Shtetet e Bashkuara, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe (Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore) duke sulmuar instalimet bërthamore paqësore të Iranit”, shkroi ai.

Nga ana tjetër udhëheqësit izraelitë kanë vlerësuar dhe falenderuar presidentin Trump pas sulmeve amerikane në centralet bërthamore iraniane, duke e përshkruar sulmin si vendimtar dhe historik.

“Në faqet e historisë njerëzore, ky është një moment kur parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe sigurisë kanë triumfuar. Një moment vendimtar midis boshtit të terrorit dhe të keqes dhe boshtit të shpresës. Ky hap i guximshëm i shërben sigurisë dhe mbrojtjes së të gjithë botës së lirë”, tha presidenti Isaac Herzog.

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu përgëzoi presidentin Trump për vendimin e tij.

“Urime President Trump, vendimi juaj i guximshëm për të synuar objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e mrekullueshme dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara do ta ndryshojë historinë”, tha Netanyahu.

Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se sulmet e bënë aleancën SHBA-Izrael më të fortë.

“Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit tani është më e fortë se kurrë – për hir të paqes dhe sigurisë për të dy kombet dhe për të gjithë botën e lirë”, tha Katz. /rtsh/

Share This