
Ministri izraelit pohon: “Me sulmet, ne e ngadalësuam Iranin nga prodhimi i një bombe bërthamore me dy deri në tre vjet”
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar pretendon se sulmet e Izraelit ndaj Iranit do të “shtyjnë mundësinë e ndërtimit të një bombe bërthamore nga Irani për të paktën dy ose tre vjet”.
“Ajo që kemi bërë deri më tani ka qenë tashmë shumë domethënëse. Unë besoj se, sipas vlerësimit që po dëgjojmë, ne tashmë e kemi shtyrë me të paktën dy ose tre vjet mundësinë që (Irani) të ketë një bombë (bërthamore)”, tha Sa’ar në një intervistë me grupin mediatik Axel Springer të botuar sot, transmeton Ballkani.info.
Ai shtoi se fakti që Izraeli ka vrarë një numër zyrtarësh ushtarakë iranianë që nga 13 qershori është “jashtëzakonisht i rëndësishëm”, duke vënë në dukje se ai “nuk beson” në diplomacinë me Iranin.
“Unë nuk besoj aq shumë në diplomacinë me Iranin. Të gjitha përpjekjet diplomatike deri tani nuk kanë qenë të suksesshme,” tha ai.
Izraeli tashmë ka arritur shumë, thotë ai, “por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi”.
“Ne nuk do të ndalemi derisa të bëjmë gjithçka që mundemi për të hequr këtë kërcënim (nga Irani)”, shtoi Sa’ar. /Ballkani.info/