Irani dhe Izraeli me sulme të reja

Irani dhe Izraeli me sulme të reja

Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë. Sulmet ajrore të ndërsjella vazhdojnë. Irani sulmon Izraelin qendror dhe jugor. Izraeli shënjestron depot e raketave dhe vendet e lëshimit të raketave në Iran.

Irani ka shënjestruar Izraelin jugor dhe verior, duke plagosur më shumë se 90 persona. Vetëm në sulmin ndaj Haifës, 33 persona u plagosën, raporton CNN, duke cituar raportime nga spitalet lokale. Shpërthime u dëgjuan edhe në Tel Aviv dhe Jerusalem.

Izraeli ka filluar një valë të re sulmesh në Iran, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit të shtunën, sipas orës lokale.

“Forcat Ajrore tani kanë filluar një valë sulmesh kundër infrastrukturës së magazinimit dhe lëshimit të raketave në Iranin qendror”, tha IDF në një deklaratë.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se objekti bërthamor i Iranit në Isfahan u shënjestrua nga Izraeli , duke shtuar se nuk pati rrjedhje të materialeve të rrezikshme.

Shpërthime u raportuan në Isfahan herët këtë mëngjes.

Ministri izraelit: Irani të paktën dy deri në tre vjet larg një bombe bërthamore

Ndërsa, Gideon Sarr, ministri i jashtëm i Izraelit, ka theksuar se aftësia e Teheranit për të zhvilluar një bombë bërthamore është vonuar me të paktën dy deri në tre vjet si rezultat i operacioneve ushtarake izraelite kundër Iranit.

Në një intervistë me gazetën gjermane Bild , Saar deklaroi se Izraeli nuk do të ndalet derisa të eliminojë plotësisht kërcënimin bërthamor nga Irani.

“Nuk do të pushojmë derisa të kemi bërë gjithçka që është në fuqinë tonë për të eliminuar këtë kërcënim”, tha Sarr, i cili theksoi se Izraeli “nuk e ka përcaktuar ndryshimin e regjimit në Iran si një qëllim në luftë, të paktën jo për momentin”.

Sipas tij, fushata ushtarake izraelite ka tre qëllime kryesore: programin bërthamor të Iranit, programin e tij të raketave balistike dhe atë që është etiketuar si “program eliminimi”, i cili përfshin kërcënime ndaj Izraelit. Saar nuk pranoi të specifikonte nëse udhëheqësit suprem të Iranit, siç është Ajatollah Ali Khamenei, janë objektiva të drejtpërdrejtë.

“Ne kurrë nuk flasim paraprakisht për atë që do të bëjmë,” tha ai.

Duke folur për bisedimet që po zhvillohen në Gjenevë midis Iranit dhe vendeve evropiane – Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Sarr shprehu skepticizëm të thellë në lidhje me mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike.

“Nuk besoj në diplomaci me Iranin. Të gjitha përpjekjet e mëparshme kanë dështuar”, tha ai, duke theksuar se Teherani po përdor negociatat për të “blerë kohë” për të vazhduar programin e tij bërthamor.

Ministri vlerësoi gjithashtu se Irani aktualisht nuk po bashkëpunon me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe se mekanizmat e inspektimit nuk po funksionojnë.

Saar vlerësoi kancelarin gjerman Friedrich Merz për atë që ai e quajti një analizë të qartë të kërcënimit iranian dhe mbështetjes për operacionet ushtarake izraelite.

“Mendoj se ai tregoi lidership duke analizuar vërtet situatën dhe rrezikun që Irani paraqet për botën dhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha ministri izraelit.

Për pretendimet se Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar, Saar u përgjigj se e drejta për vetëmbrojtje është legjitime.

“Mbrojtja e vetes kundër dikujt që kërcënon me shkatërrim dhe veprimi në përputhje me rrethanat nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Ai u bëri thirrje qeverive evropiane që të forcojnë mbrojtjen e komuniteteve hebraike, duke paralajmëruar se Irani po përpiqet të sulmojë hebrenjtë dhe izraelitët edhe në tokën evropiane.

“Mbrojtja e jetës hebraike duhet të jetë një përparësi. Ne presim që vendet evropiane të bëjnë gjithçka që munden për ta siguruar këtë”, përfundoi ai.

Teherani: Nuk e dimë nëse mund t’i besojmë Amerikës

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, ka theksuar se Irani nuk ishte i sigurt nëse mund t’u besonte Shteteve të Bashkuara në bisedimet diplomatike, pasi Izraeli nisi një sulm ajror në vend vetëm disa ditë para bisedimeve të planifikuara me zyrtarët amerikanë.

Në një intervistë për NBC- në amerikane në Gjenevë, pas një takimi me ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Bashkimit Evropian, Araqchi, i pyetur nëse një marrëveshje me SHBA-në mund të arrihet brenda dy javësh, të cilën e dha së fundmi Presidenti i SHBA-së Donald Trump, tha se i takon administratës Trump “të tregojë vendosmërinë e saj për të nxitur një zgjidhje të negociuar”.

Ai sugjeroi që Uashingtoni mund të mos ketë qenë vërtet i interesuar në diplomaci dhe thjesht po përdorte bisedimet rreth programit bërthamor të Iranit si “mbulesë” për sulmet ajrore izraelite ndaj Iranit, të cilat filluan më 13 qershor.

“Pra, ndoshta ata e kishin atë plan në mendje dhe u duheshin negociatat vetëm për ta mbuluar atë. Nuk e dimë se si mund t’u besojmë më. Ajo që bënë ishte në fakt një tradhti e diplomacisë”, tha Arakchi.

Ai theksoi se qeveria e tij është e gatshme për negociata, por se Izraeli duhet së pari të ndalojë sulmet ajrore ndaj Iranit.

“Ne nuk jemi më të gatshëm të negociojmë me ta për sa kohë që agresioni vazhdon”, tha Arakchi.

Ai shtoi se Irani nuk do të heqë dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit, siç kërkoi Trump, dhe se “pasurimi zero është i pamundur”.

“Ky është një arritje e shkencëtarëve tanë. Është çështje krenarie kombëtare”, tha ministri iranian, duke shtuar se kjo është e drejtë e çdo vendi sipas ligjit ndërkombëtar. Ai tha se bombardimet izraelite të objekteve bërthamore iraniane nuk mund të shkatërrojnë “njohuritë” teknike që Irani ka zhvilluar në programin e tij bërthamor.

Araqchi ishte një nga negociatorët kryesorë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore, e cila vendosi kufizime në programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet amerikane dhe ndërkombëtare.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump tërhoqi SHBA-në nga ajo marrëveshje.

Share This