Kriza globale e refugjatëve në kulmin e saj, IRC kërkon veprime për 122 milionë njerëz të zhvendosur

Kriza globale e refugjatëve në kulmin e saj, IRC kërkon veprime për 122 milionë njerëz të zhvendosur

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) nxjerr në pah një krizë të rëndë globale: më shumë se 122 milionë njerëz po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe fatkeqësive natyrore — një numër që tejkalon popullsinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës së bashku.

Sipas IRC-së, numri i njerëzve të zhvendosur me forcë është dyfishuar në vetëm 10 vitet e fundit. Një e treta e tyre vijnë nga katër vende që përjetojnë konflikte të mëdha: Sudani, Siria, Afganistani dhe Ukraina.

Këto vende po përballen me mungesë fondesh humanitare dhe kriza të rënda sociale dhe ekonomike. Përveç tyre, disa nga zonat më të prekura nga uria dhe kequshqyerja në botë, si Sudani i Jugut dhe Territori i Pushtuar Palestinez, janë gjithashtu vende me zhvendosje masive.

Ndërkohë, rreth 70% e zhvendosjeve të reja në vitin 2024 lidhen me fatkeqësi natyrore dhe ndryshimet klimatike, dhe shumica e tyre ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas të dhënave, 73% e të zhvendosurve strehohen pikërisht në këto vende, ndërsa zhvendosja e brendshme përbën 60% të totalit — domethënë shumica e tyre nuk kalojnë kufij ndërkombëtarë.

David Miliband, drejtori ekzekutiv i IRC-së, theksoi se kjo ditë shërben si moment ndryshimi dhe jo vetëm përkujtimi.

Ai bëri thirrje për gjetjen e mënyrave për t’iu dhënë fund konflikteve dhe mbështetjen ndaj njerëzve në nevojë.

“Kjo Ditë Botërore e Refugjatëve duhet të jetë moment ndryshimi, jo vetëm përkujtimi. Duhet të gjejmë mënyra të reja për të ndalur konfliktet, për të mbështetur njerëzit në nevojë dhe vendet që i mirëpresin ata”, tha ai.

Ai paralajmëron se nuk është koha për të ulur ndihmën humanitare dhe thekson rëndësinë e mbështetjes ligjore dhe rrugëve të sigurta për refugjatët.

IRC i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë financimin për vendet më të prekura dhe të investojë në masa parandaluese, si parandalimi i fatkeqësive klimatike dhe trajtimi i urisë tek fëmijët. /rtsh/

Share This